Përfaqësues të qeverisë shqiptare, akademisë, biznesit dhe organizatave rinore të shoqërisë civile morën pjesë në mbledhjen e bordit këshillues të projektit të financuar nga qeveria zvicerane RisiAlbania. Pasi ndoqën prezantimet e stafit të projektit mbi aktivitetet e planifikuara për vitin 2019 ata ndanë ide dhe ofruan këshilla për të krijuar më shumë mundësi punësimi për të rejat dhe të rinjtë në Shqipëri përmes ndërhyrjeve të projektit  në zhvillimin e sektorit privat, zhvillimin e aftësive dhe forcimin e shërbimeve të ndërmjetësimit.

Mbledhja e dytë e bordit këshillues të projektit u organizua në mjediset e Fakultetit të Shkencave Sociale. Vendndodhja ishte e rëndësishme pasi dëshmon për mbështetjen e projektit ndaj fakultetit, i cili po bashkëpunon me Universitetit e Lausanne për të përmirësuar programin Master që ofron ky fakultet, për përgatitjen e këshilluesve të ardhshëm të karrierës. Projekti po mbështet gjithashtu krijimin e qendrës së Këshillimit të Karrierës, një projekt pilot me Bashkinë e Tiranës.

Puna e RisiAlbania për të nxitur aktorët në treg të ndihmojnë të rinjtë për marrjen e vendimeve të duhura për karrierën do të ndikojë në ngushtimin e diferencave mes kërkesës për punonjës të kualifikuar dhe papunësisë mes të rinjve.

“I mandatuar nga Qeveria Zvicerane dhe në linjë me strategjinë e SDC-së, projekti RisiAlbania do të vazhdojë të mbështesë strategjinë kombëtare për punësimin dhe aftësimin për të promovuar vende të reja pune për të rinjtë dhe të rejat”– tha Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri Adrian Maître.

“Punësimi i të rinjve është një nga prioritetet e qeverisë shqiptare dhe është shumë e rëndësishme për ne të shikojmë se aktivitetet e planifikuara të projektit për 2019 mbështesin punësimin e të rinjve, i ndihmojnë ata të marin informacionin e duhur dhe të pajisen aftësitë që kërkon tregu”-theksoi më tej Zv.Kryeministrja Senida Mesi.

Gjatë 2019 Risi do të kontribuojë në krijimin e vendeve të reja të punës dhe do të mbështesë ofruesit privatë të trajnimeve përmes prezantimit të 27 programeve inovativë që kërkohen nga sektori privat. Risi do të vazhdojë edhe në 2019 të sigurojë në tregun e punës përfshirjen e grupeve vulnerabël dhe grupeve të përjashtuara.