21 festa lokale, 21 destinacione turistike për tu zbuluar këtë sezon veror në Shqipëri! “Festat Lokale” është një nismë e përbashkët e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, e mbështetur nga projekti zviceran Risi Albania, që synon rivitalizimin e zonave rurale përmes promovimit të traditës dhe vlerave kulturore.

Në 9 qershor 2018 festivali i PAN-it – një ditë e mbushur me aktivitete bashkoi fermerë, banorë të zonës së Kurveleshit, përfaqësues të qeverisë vendore dhe turistë nga fshati Nivica, Bashkia Tepelenë.

Pjesëmarrësit ndoqën ekspozitën me foto dhe kostume tradicionale në qendrën e fshatit dhe morën pjesë në udhëtimet me udhërrëfyes përgjatë vendeve më tërheqëse që ofron zona, përfshi kështjellën dhe kanionet e Nivicës. Vizitorët shijuan produktet tipike dhe kuzhinën vendase në panairin e organizuar si dhe ndoqën këngët iso-polifonike dhe festivalin për cjapin më të bukur të zonës, një konkurs që i kushtohet zotit PAN, mbrojtësit të barinjve vendase sipas mitologjisë greke.

Kryetari i Bashkisë së Tepelenës Z.Tërmet Peçi, u shpreh se ky aktivitet që është organizuar me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit do të jetë pjesë e kalendarit të përvitshëm turistik të bashkisë Tepelenë.

“Krijimi i vendeve të punës është misioni i projektit Risi Albania financuar nga Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, SDC dhe zbatuar nga Helvetas. Në zona të thella në sektorët e bujqësisë dhe turizmit ky mbetet ende një mision sfidues” – tha Stefan Joss, drejtori i projektit të Risi-së gjatë fjalës së tij. “Risi Albania mbështet nismën e 2 ministrive në arritjen e objektivit afatgjatë ekonomik, duke sjellë përfitime për të gjithë: fermerë, përpunues dhe ata që zotërojnë shtëpi pritjeje.”

Festivali është një mundësi e mirë, jo vetëm për të promovuar burimet që ka zona, por dhe për të gjeneruar të ardhura për fermerët e zonës. Fshatrat ku do të organizohen këto festivale janë pjesë e nismës “100 fshatrat” të qeverisë shqiptare.