Kërkesa për Punë

Rritja e biznesit është një katalizator i rëndësishëm për punësim. Për këtë arsye RisiAlbania punon për të nxitur krijimin e vendeve të reja të punës përmes zhvillimit të sektorit privat në: Agribiznes, Turizëm & Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit, TIK.

Këta sektorë janë përzgjedhur për potencialin e madh dhe gjithëpërfshirës që ata kanë, për punësimin e të rinjve. Duke synuar për të sjellë ndryshime të qëndrueshme në treg, projekti bashkëpunon me aktorët vendas dhe të huaj në sektorin privat për të gjetur zgjidhje inovative që krijojnë vende të reja pune. Projekti nxit gjithashtu krijimin e partneriteteve mes aktorëve publikë dhe privatë, duke adresuar së bashku pengesat për rritjen e biznesit.

Agribiznes

Agribiznesi kontribuon në rreth 20% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto, PPB të vendit dhe krijon punësim për rreth 40% të popullsisë. Ai ka një potencial të jashtëzakonshëm për punësimin e të rinjve dhe grupeve të disavantazhuara në zonat rurale.

Por megjithë investimet prodhimi i përgjithshëm nuk plotëson nevojat e tregut të brendshëm dhe prodhimet shqiptare bujqësore përbëjnë vetëm 5.4% të totalit të eksporteve, andaj sektori ka vend për përmirësim, në mënyrë që të zhvillojë plotësisht potencialin e tij dhe të zgjerojë tregjet.

Kjo është arsyeja pse ndërhyrjet e RisiAlbania ndihmojnë sipërmarrjet të performojnë më mirë, të rrisin konkurrueshmërinë në tregjet vendase dhe të huaja dhe të krijojnë mundësi punësimi për të rinjtë. Jemi përqëndruar përgjatë gjithë zinxhirit të vlerës në fusha si bimët mjekësore dhe aromatike, apo frutat dhe perimet, duke mbështetur standartet e cilësisë të produktit, orientimin sipas nevojave të tregut dhe lidhjen mes operatorëve.

Vizitoni për më shumë publikimet tona.

Turizmi

Turizmi në Shqipëri ka njohur rritje të qëndrueshme vitet e fundit sa i takon kontributit në Prodhimin e Përgjithshëm Bruto dhe parashikohet të rritet në 6.2% çdo vit deri në 2027. Parashikimet e Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimit vlerësojnë se turizmi do të punësojë 6% të fuqisë punëtore deri në 2025.

Ndërhyrjet e RisiAlbania në këtë sektor synojnë të reduktojnë sezonalitetin, duke u përqëndruar në promovimin dhe krijimin e produkteve të reja inovative turistike, binjakëzimin e bizneseve rurale me ato ndërkombëtare për shkëmbim eksperience dhe zhvillim të qëndrueshëm, forcimin e kapaciteteve të aktorëve të turizmit në nivel vendor si dhe përmirësimin e aksesit të informacionit turistik.

Përmes promovimit të produkteve alternative të ofertës turistike në tregun kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar një numër i madh sipërmarrjesh do të fuqizohen dhe do të krijojnë vende të reja pune.

Vizitoni për më shumë publikimet tona.

TIK

Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit, po rritet me shpejtësi, duke i ofruar të rinjve mundësi për punë tërheqëse dhe të mirë paguara. Ndërhyrjet e RisiAlbania në këtë fushë fokusohen në 2 komponentë kryesorë Teknologjia e Informacionit, (IT) dhe Industria e Shërbimeve të Nënkontraktuara (BPO).

Kjo fushë ofron mundësi të shumta për rritje, pasi informacioni në tregun ndërkombëtar për avantazhet që ka tregu shqiptar janë të kufizuara si psh: kuadri ligjor jo shumë favorizues i cili frenon mundësitë për të zgjeruar aktivitetin apo mungesa e stimujve të kompanive për të investuar në rritjen e kapaciteteve të punonjësve. Këto e bejnë sektorin më pak tërheqës për të rinjtë e porsadiplomuar.

Në partneritet me aktorë të sektorit publik dhe privat, ndërhyrjet e projektit synojnë të përmirësojnë kuadrin ligjor, të kryejnë aktivitete që nxisin investimet në këtë sektor në tregun e brendshëm dhe ndërkombëtar.

Vizitoni për më shumë publikimet tona.