Industria e tregtisë elektronike në Shqipëri po zgjerohet me shpejtësi duke shfrytëzuar avantazhin e mbulimit të lartë me internet në vend dhe përdorimin e lartë të pajisjeve elektronike gjatë blerjeve online. Por kjo industri përballet me probleme si informaliteti, infrastruktura e shpërndarjes, apo mënyra e taksimit dhe çfarë është më e rëndësishme, Shqipëria është një vend i cili dominohet nga niveli i lartë i përdorimit të parasë cash në ekonomi.

Për herë të parë RisiAlbania mblodhi në një tryezë të rumbullakët përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, kompani private, kompanitë e shërbimit postar dhe ekspertë të fushës për të identifikuar dhe sjellë në vëmendje vështirësitë me të cilat përballet tregtia elektronike në vend.

“Shqipëria ka një kuadër rregullator ligjor të mirë, por ne mund të përmirësojmë zbatimin e tij, duke sjellë përfitime të përbashkëta për konsumatorët dhe bizneset” – tha Znj. Majlinda Hafizi drejtore e drejtorisë së politikave të zhvillimit ekonomik pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Përfaqësues të kompanive që punojnë në këtë sektor të pranishëm në takim trajtuan problematikat që lidhen me infomalitetin, taksimin, tarifat e shpërndarjes, infrastrukturën dhe pengesa të tjera që has zhvillimi i mëtejshëm dhe zgjerimi i tregut të tregtisë elektronike në Shqipëri.

“Ky është momenti që ne të zhvillojmë paralelisht tregtinë elektronike dhe atë përmes telefonisë mobile, duke ecur me hapin e trendit botëror” – tha Linda Shomo nga kompania Easy Pay.

Zyrtarët e 2 ministrive do të adresojnë shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit e tregtisë elektronike me autoritetet përkatëse. Industria e tregtisë elektronike përfaqëson sot mundësi për rritje dhe investime e për rrjedhojë mundësi të reja për punësim, sektor që ka nevojë për mbështetje.