RisiAlbania në bashkëpunim me Industrinë Shqiptare të Ushqimit (AFI) organizuan në fillim të dhjetorit një takim biznesi, dedikuar industrisë së bimëve aromatike dhe mjekësore. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të shoqatave të kësaj industrie në Shqipëri, grumbullues rajonalë, eksportues dhe ofrues të teknologjive të tharjes dhe paketimit.

Industria e bimëve aromatike dhe mjekësore ka potencial për të përmirësuar më tej performancën sa i takon sasisë dhe vlerës së eksporteve.  Investimet në praktikat e pas tharjes përmes pajisjeve të tharjes dhe ato të paketimit mund të luajnë një rol vendimtar në rritjen e të ardhurave për të gjithë aktorët në këtë industri dhe më shumë vende punë për banorët e zonave rurale.

Pengesat kryesore të identifikuara nga kërkimet e AFI-t dhe studime të tjera të kryera lidhen me praktikat e tharjes dhe pas tharjes së bimëve, mungesën e pajisjeve,dhe paketimit që ulin cilësinë e produktit dhe krijojnë probleme për eksportuesit.

Në këtë takim biznesi aktorët e kësaj industrie patën mundësi të marin informacion të drejtpërdrejtë nga kompanitë nga Shqipëria, Kosova dhe Serbia në lidhje me zgjidhjet e reja dhe inovative që do të rrisin cilësinë e produktit, do të sjellin rritje të çmimit të eksportit përmes adresimit të praktikave të pas tharrjes që ndikojnë në cilësinë e bimëve.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, autoriteti që menaxhon programin IPARD Z. Grigor Gjeci prezantoi mundësitë për përfitimin e granteve nga skema IPARD për këtë industri.

“Potenciali I këtij sektori është shumë më i madh nëse ne investojmë në teknologji të reja dhe përmirësojmë cilësinë e produktit” – tha Alban Zusi, drejtor i AFI-t. Pjesëmarrësit në takim shfaqën interes për metodologjitë e zbatuara në rajon për procesin e tharjes së bimëve. Sot 95% e prodhimit të bimëve aromatike dhe mjekësore eksportohet, duke zënë 20% të totalit të eksporteve shqiptare.