Për herë të parë në vendin tonë prezantohet një ofertë inovative sa i takon të nxënit online. Kjo nismë vjen si një risi e shërbimeve të ofruara nga Agjencia e Rekrutimit “Profesionisti” e cila u krijua në vitin 2014 nga Çelesi shpk me mbështetjen e Risi-së.

Inisitativa e quajtur Akademia UNIRPO ka në funksionin themelor të saj të nxënit online (e-learning) duke ofruar kurse online për të përditësuar njohuritë mes brezave të të rinjve dhe duke rritur mundësitë për punësimin e tyre.

Akademia UNIPRO vjen si një shërbim i ri, plotësues i agjencisë së rekrutimit “Profesionisti” e cila shërben jo vetëm si një mundësi punësimi për kandidatët e kualifikuar, por ajo i përgatit gjithshtu edhe sipas kërkesave të tregut. Vitet e fundit punëdhënësit kanë artikuluar mangësitë sa i takon aftësive të buta për punë, por edhe aftësive tektike të cilat nuk ofrohen aktualisht nga tregu i trajnimit.

Brezat e rinj tanimë janë përdorues të teknologjive më të fundit. E-learning, në sajë të mundësive që ofron për t’u aksesur edhe në zona të largëta në të gjithë vendin përfaqëson një metodë praktike dhe shumë fleksibël për ofrimin e trajnimit dhe përgatitjes profesionale.

Akademia UNIPRO po e përkthen në avantazh këtë mundësi dhe po e përdor për përfitime profesionale., duke përdorur teknologjinë për qëllime të të mësuarit. Ajo ofron kurse trajnimi online përmes një platforme web, ku kurset mund të shkarkohen dhe kësisoj të aksesohen përmes llogarive personale të krijuara në platformë.

Inisiativa do të nisë me ofrimin e 8 kurseve të para sa i takon aftësive të buta, medias sociale për biznesin, vizualizim të dhënash etj, të dizenjara sipas kërkesave të tregut. Kurset do të hidhen në platformën online dhe do të paraqiten me video të shoqëruara nga udhëzimet e trajnerit në 2 gjuhë, shqip dhe italisht.