Thirrje për Aplikime

Këshillimi dhe ndërmjetësimi i karrierës

KËSHILLIM KARRIERE

Këshillimi i Karrierës në Shqipëri përballet me disa kufizime të rëndësishme. Një nga sfidat kryesore është se Këshillimi i Karrierës është një shërbim relativisht i ri, dhe si i tillë nuk kuptohet dhe zbatohet drejt si nga përdoruesit ashtu edhe nga ofruesit e këtij shërbimi. Së dyti, njohuritë, mjetet dhe profesionistët në fushë janë të limituar.

Për të adresuar këto kufizime, RisiAlbania ka ndërmarrë një strategji gjithëpërfshirëse në:

(i) ngritjen e kapaciteteve institucionale të ofruesve të shërbimeve të Këshillimit të Karrierës. Këtu një risi ka qenë ofrimi i shërbimit të këshillimit të karrierës si shërbim komunitar për herë të parë në Shqipëri, frymëzuar nga një model zviceran por i përshtatur për mjedisin në Shqipëri. (ii) Zhvillimin dhe përmirësimin e përmbajtjes dhe mjeteve të Këshillimit të Karrierës. Këtu mund të përmendim zhvillimin e përmbajtjes për 100 profesionet më të kërkuara në treg, katër teste të standardizuara specifikisht për kontekstin shqiptar dhe një faqe internet burimore www.karriera.tirana.al, ku të rinjtë mund të gjejnë të gjitha informacionet në lidhje me Këshillimin e Karrierës.

Zhvillimin e burimeve njerëzore nëpërmjet trajnimeve të vazhdueshme me ekspertë shqiptarë dhe të huaj. Gjithashtu, projekti ka mbështetur përmirësimin e programit master të dedikuar “Orientimi Profesional” në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Sociale, nga ku dalin profesionistët e rinj të kualifikuar në këtë fushë.

Dhe së fundmi, jo për nga rëndësia, promovimi është një ndërhyrje e rëndësishme, i cili synon informimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve dhe prindërve të tyre mbi rëndësinë e Këshillimit të Karrierës dhe se ku mund ta marrin atë.

Rezultate:

  • 29,742 persona përdorin shërbime të reja dhe të përmirësuara të Keshillimit të Karrierës. 60% e përfituesve të këtyre shërbimeve janë gra dhe 843 përfitues vijnë nga grupe të margjinalizuara.
  • 83% e tyre janë të kënaqur me keto shërbime.
  • Zyra e parë e karrierës në nivel lokal është themeluar në Bashkinë e Tiranës dhe është funksionale që nga dhjetori 2020 me një strukturë të qëndrueshme të keshillimit të karrierës. Tre bashki të tjera ne Elbasan, Lushnjë dhe Berat janë të angazhuara për të zhvilluar shërbimet e Këshillimit të Karrierës, bazuar në modelin e Tiranës.
  • 5 universitete ofrojnë shërbime karriere për studentët dhe alumnit e tyre.
  • 2 ofrues privatë kanë prezantuar shërbime të specializuara të Këshillimit të Karrierës për klientët e tyre.
     

NDËRMJETËSIMI PËR PUNË

Risi bashkëpunon me Agjencinë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi (AKPA) për të përmirësuar bashkëpunimin e agjencisë me bizneset, përmes zgjidhjeve digjitale, ndërtimit të kapaciteteve të stafit dhe fushatave promovuese për informim të bizneseve mbi shërbimet e AKPA. Duke ofruar zgjidhje të personalizuara dhe duke krijuar mekanizma monitorimi, AKPA synon të plotësojë më mirë nevojat specifike të industrive të ndryshme për fuqi punëtore dhe të konsolidojë kështu bashkëpunimin me punëdhënësit për të vendosur në punë punëkërkuesit e papunë, midis tyre dhe shumë të rinj.

Si rrjedhojë e mbështetjes së projektit, AKPA ka tashmë marrëveshje me ofruesit privatë më të mëdhenj të platformave të ndërmjetësimit, gjë që ka bërë të mundur bashkimin e ofertës për punë në një portal të vetëm, atë të www.puna.gov.al si dhe ka mundësuar që AKPA të zhvillojë indekse punësimi bazuar në informacionin që prodhon ky bashkim të dhënash.

Rezultate:

  • 9,986 persona kanë gjetur një punë të re përmes shërbimeve të përmirësuara të ndërmjetësimit.
  • 8,619 prej tyre janë të moshës 15-29 vjeç.
  • 1,725 biznese kanë përdorur shërbime të përmirësuara të përputhjes së punës.
  • 83% të bizneseve që kanë përdorur shërbime të reja ose të përmirësuara dhe janë më të kënaqura me shërbimin sesa me shërbimet e mëparshme.