Krijimi i vendeve të punës
AGROBIZNES
Agrobiznesi kontribuon në rreth 18% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto (PPB) të vendit dhe krijon punësim për rreth 40% të popullsisë. Ai ka një potencial të jashtëzakonshëm për punësimin e të rinjve dhe grupeve të disavantazhuara në zonat rurale. Megjithatë, sektori përballet me sfida të shumta si aksesin në tregje me vlerë të lartë, mungesën e njohurive profesionale dhe shkallën e kufizuar ekonomike për shkak të njësive të vogla të prodhimit, që rezultojnë në efikasitet të ulët dhe kosto të larta prodhimi.
Për të adresuar këto sfida, RisiAlbania ka ndërmarrë disa ndërhyrje. Përmirësimi i aksesit në tregjet me vlerë të lartë për frutat dhe perimet është një ndërhyrje që mbështet fermerët dhe eksportuesit shqiptarë për të përmbushur standardet e cilësisë, përfshi edhe ato sociale siç është certifikimi GlobalGAP. Me mbështetjen e projektit, për herë të parë eksportuesit e fruta-perimeve bënë bashkë fermerët për të realizuar certifikimin në grup GlobalGAP që jo vetëm ju mundësoi atyre akses në tregje me vlerë të lartë por edhe kosto më të ulëta të certifikimit. Si rrjedhojë e rritjes së cilësisë, u rrit edhe numri i eksporteve në tregje me vlerë të lartë. Ministria e Bujqësisë gjithashtu ka përfshirë certifikimin në grup GlobalGAP si pjesë e skemave të saj të mbështetjes në këtë sektor.
Një fushë tjetër ndërhyrjeje është fuqizimi i zinxhirit të vlerës së bimëve medicinale dhe aromatike (MAPs). Kjo mbështetje përfshin kalimin nga mbledhja e egër në kultivim si dhe përmirësimin e cilësisë gjatë procesit të tharjes nëpërmjet ndërgjegjësimit të fermerëve dhe eksportuesve dhe investimeve të këtyre të fundit në tharje të centralizuar dhe shërbime të integruara për fermerët. Këto masa kanë ndihmuar në rritjen e konkurrueshmërisë së eksportuesve të MAPs dhe në përmirësimin e cilësisë së produkteve të tyre, dhe në krijimin e vendeve të reja të punës.
Së fundmi, projekti ka ndihmuar në rritjen e konkurrueshmërisë së agrobiznesit përmes inovacionit, duke prezantuar zgjidhje inovative TIK, siç janë sistemet e gjurmueshmërisë, për të rritur efikasitetin dhe cilësinë e produktit. Këto sisteme janë zbatuar në nën-sektorët e frutave dhe perimeve dhe të MAPs, duke përdorur për herë të parë në Shqipëri teknologji si Farm Force dhe Helius
Rezultate:
- 2,003 persona të punësuar, përfshirë 1,245 gra dhe 918 nga grupet e margjinalizuara.
- 9.4 milion EUR investime private dhe 1.9 milion EUR të ardhura neto shtesë.
- Rritje e sipërfaqes nën certifikimin GlobalGAP duke arritur në 760 ha në vitin 2023.
- 21 eksportues dhe mbi 300 fermerë të certifikuar GlobalGAP.
- 883 biznese private që kanë adoptuar praktika të orientuara drejt rritjes.
- 11 ofrues të shërbimeve të zhvillimit të biznesit që ofrojnë shërbime të reja ose të përmirësuara.
TURIZËM
Turizmi në Shqipëri është një sektor me potencial në rritje. Në vitin 2023, sektori i turizmit në Shqipëri kontribuoi me rreth 12-15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të vendit. Kjo shifër përfaqëson një rritje të konsiderueshme krahasuar me vitet e mëparshme dhe tregon rëndësinë e madhe të këtij sektori për ekonominë shqiptare. Megjithatë, ai është kryesisht i kufizuar në sezonet e pikut dhe zonat bregdetare, duke kufizuar përfitimet për rajonet e brendshme. Në këtë sektor është vënë re progres i dukshëm në numrin e vizitorëve që vijnë në Shqipëri në një sezon më të gjerë. Megjithatë, bizneset rurale ende hasin vështirësi për t’u konsoliduar në treg për shkak të mungesës së informacionit në lidhje me standardet, shërbimet, aksesin financiar si dhe largimit të të rinjve drejt zonave rurale apo përtej Shqipërisë. Aktualisht sfidat qëndrojnë në cilësinë e shërbimit, aftësitë dhe “going green” dhe “digital” në këtë sektor gjithashtu.
Për të adresuar këto vështirësi, RisiAlbania ka kontribuar në mbështetjen e operatorëve turistikë në diversifikimin e ofertës turistike përmes krijimit të itinerareve të reja në destinacione rurale në bashkëpunim me bizneset dhe komunitetet lokale. Kjo qasje ka gjeneruar punësim për bizneset e vogla lokale dhe ka ndikuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik lokal.
Në mënyrë që produkti turistik të ketë cilësi dhe të tërheqë gjithmonë e më shumë turistë, ai duhet të plotësojë standarde europiane. Me mbështetjen e projektit, bizneset shqiptare të turizmit kanë përqafuar standardet ndërkombëtare të turizmit të qëndrueshëm duke mundësuar të hyjnë në tregje me vlerë më të lartë, thënë ndryshe afrimin e një turisti më cilësor. Në 2024, Shqipëria, përmes Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, është bërë anëtare e Këshillit Global të Turizmit të Qëndrueshëm (GSTC) duke institucionalizuar angazhimin e saj në investime drejt turizmit të qëndrueshëm.
Një produkt konkurrues ka nevojë për një promovim të denjë ku të gjithë aktorët e interesuar bëhen bashkë në promovimin e rajonit. RisiAlbania ka sjellë bashkë aktorët publikë dhe privatë në rajonin e Gjirokastrës, Përmetit dhe Tepelenës në promovimin e këtij destinacioni. Ky bashkëpunim ka hedhur bazat për një Organizatë të Menaxhimit të Destinacioneve (DMO) në Gjirokastër, model i cili ngjalli interesin dhe angazhimin e bashkive dhe bizneseve të sektorit edhe në Sarandë dhe Korçë.
Një vlerë e shtuar në promovimin e turizmit të qëndrueshëm është edhe prezantimi dhe zbatimi i një modeli novator për rivitalizimin ekonomik të zonave historike të abandonuara, “Alberghi Diffusi” (AD). Ky model është zbatuar me sukses në Shqipëri, me AD Kruja që prej vitit 2023 ku në fokus janë rivitalizimi i 20 shtëpive të abandonuara brenda mureve të qytetit të vjetër në Krujë. AD Ballkan i vendosur në Shqipëri po hulumton për të shtrirë këtë model edhe në zona të tjera në Shqipëri si në Berat dhe Qytezë. Ky model i ri mikpritjeje është njohur tashmë zyrtarisht si pjesë e ligjit të ri të turizmit në Shqipëri.
Rezultate:
- 1,318 persona të punësuar, përfshirë 606 gra dhe 358 persona nga grupet e margjinalizuara.
- 1.9 milion EUR investime private dhe 400,000 EUR të ardhura neto shtesë për bizneset e turizmit.
- 220 produkte të reja turistike nga të cilat kanë përfituar 9,500 turistë.
- 498 biznese lokale (rurale) që kanë përfituar nga praktikat e orientuara drejt rritjes së biznesit.
- 8 operatorë turistikë shqiptarë kanë adoptuar standardet e turizmit të qëndrueshëm GSTC dhe kanë marrë certifikime ndërkombëtare.
- 20 profesionistë dhe konsulentë të turizmit të trajnuar si ekspertë GSTC dhe 8 prej tyre të kualifikuar si auditorë GSTC.
- Tre partneritete rajonale për promovimin e destinacioneve të themeluara në Gjirokastër, Sarandë dhe Korçë.
TEKNOLOGJIA E INFORMACIONIT DHE KOMUNIKIMIT (TIK)
Në vitin 2023, sektori i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (ICT) në Shqipëri kontribuoi me rreth 6.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të vendit. Ky sektor po rritet me shpejtësi, duke i ofruar të rinjve mundësi për punë tërheqëse dhe të mirëpaguar. Në këtë sektor kaq të rëndësishëm, RisiAlbania ka punuar në nënsektorin e Shërbimeve të Nënkontraktuara (BPO) dhe në atë të Teknologjisë së Informacionit.
Sektori i BPO-ve në Shqipëri ka një historik të gjatë, kur një dekadë më parë njihej thjesht si “call center” dhe me kushte jo të mira pune. Me kalimin e viteve, ky sektor ka pësuar një zgjerim të gamës së shërbimeve të biznesit, nga ato ligjore, ekonomike, burimeve njerëzore e të tjera. Sfidë e vazhdueshme për këtë sektor ka qenë aksesimi i tregjeve ndërkombëtare si dhe investimi në burime njerëzore. Përsa i takon nënsektorit të TI, sfidat e tij lidhen me ndjekjen e zhvillimeve teknologjike si e-commerce, e-payment apo IA në tregjet europiane e më gjerë, si dhe në aplikimin e tyre në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare. Edhe këtu, sfidë kryesore mbeten standardet dhe zhvillimi i burimeve njerëzore.
Për të adresuar këto sfida, RisiAlbania ka ndërmarrë disa ndërhyrje që përfshijnë: (i) promovimin e Shqipërisë si një destinacion me vlerë të shtuar për nënkontraktimin nga investitorët e huaj, (ii) mbështetjen e qeverisë shqiptare në studime fizibiliteti për krijimin e parqeve teknologjike dhe inovacionit, si Parku Teknologjik Durana, i cili është parku i parë shkencor dhe teknologjik në Shqipëri.
Në një botë që po shkon çdo ditë e më shumë drejt digjitalizimit, ka gjithmonë e më shumë nevojë për transaksione digjitale. Tregtia e-commerce ekziston prej vitesh në Shqipëri, megjithatë është ende një treg i parregulluar në aspektin ligjor dhe funksional. Për këtë arsye, projekti ka mbështetur Ministrinë e Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës në zhvillimin e planit të veprimit për strategjinë e-commerce në Shqipëri. Më tej, projekti ka mbështetur shoqatën e-commerce në përpjekjen e saj për të rregulluar këtë treg nga pikëpamja formale dhe e sigurisë, si për biznesin ashtu edhe për përdoruesit. Së fundmi, projekti ka mbështetur në promovimin dhe ndërgjegjësimin e bizneseve për avantazhet e pagesave online si një mjet tjetër që ofron efikasitet në punën e tyre. Megjithatë, në këtë pikë, siguria kibernetike dhe mbrojtja e të dhënave personale mbetet një sfidë.
Për këtë arsye, por edhe për ta bërë Shqipërinë një destinacion më të sigurt për investime, projekti ka mundësuar certifikimin e kompanive vendase me standarde ndërkombëtare si ISO 27001 dhe ISO 27701. ISO 27001 fokusohet në sigurinë e informacionit me qëllim që të ndihmojë organizatat të demonstrojnë qëndrimin e tyre të sigurisë ndaj klientëve dhe perspektivave. ISO 27701 fokusohet në privatësinë e përdoruesve me qëllim që të ndihmojë organizatat të respektojnë ligjet e privatësisë në mbarë botën dhe të mbrojnë të drejtat e privatësisë së konsumatorëve. Trajnimi dhe certifikimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimeve me këto standarde bëri të mundur akreditimin prej kësaj Drejtorie të trupave lokale certifikuese, duke ofruar kështu akses më të mirë për bizneset vendase dhe duke ulur kostot e certifikimit.
Rezultate:
- 2665 persona të punësuar në vende të reja në sektorin e ICT-së, përfshirë 1440 gra dhe 111 persona nga grupe të pafavorizuara.
- €732,523 të ardhura neto shtesë të gjeneruara nga partnerët e ICT-së dhe bashkëpunëtorët e tyre falë ndërhyrjeve inovative të zhvilluara me RisiAlbania.
- €5,422,404 investime private.
- 66 biznese kanë marrë/janë në proces të cerfitimeve të reja.