Një ekip ekspertësh nga Shoqata Alberghi Diffusi po vlerëson fshatrat shqiptarë që i përkasin Nismës së 100 Fshatrave për të parë mundësitë e zbatimit të modelit Albergo Diffuso (hotele të shpërndara) në vendin tonë. Alberghi Diffusi është një koncept mikpritjeje i krijuar për të zhvilluar turizmin në fshatra dhe qendra të vjetra të qytetit pa ndryshuar karakteristikat e tyre, ndryshe nga hotelet apo resortet e reja. Kërkon vetëm bashkëpunimin e banorëve të fshatit për të hapur shtëpitë e tyre për turizëm në një mënyrë të koordinuar.

Ekipi i drejtuar nga Prof. Giancarlo Dall’Ara (President i Shoqatës) vizitoi disa fshatra shqiptare në Gjirokastër dhe Korçë në tetor dhe do të vizitojë edhe disa të tjerë në Kukës dhe Dibër përgjatë nëntorit. Pas kësaj vizite të parë, Prof. Dall’Ara theksoi se ekziston mundësia për të zhvilluar modelin: “Ne kemi parë disa fshatra tipikë dhe autentikë shqiptarë, të cilët kanë shumë të përbashkëta me fshatrat në Jug të Italisë, ku ky model u implementua me sukses”.

Bizneset e zonës ishin të interesuar për këtë model dhe treguan gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar: “Tashmë kemi filluar t’u ofrojmë vizitorëve tanë një përvojë unike të të jetuarit në fshatin tradicional të Dhoksatit dhe jemi të kënaqur për shkëmbimin që kemi pasur me ekipin e Alberghi Diffusi ”, tha Roland Koçi, pronar i një bujtine në fshatin Dhoksat.

Albergo Diffuso i përgjigjet në mënyrë të përkryer nevojave të “turistit të gjeneratës së tretë”, i cili nuk është i interesuar vetëm të vizitojë një vend të ri, por edhe ta përjetojë këtë eksperiencë. Këta turistë duan të krijojnë marrëdhënie të reja, jo vetëm me vizitorët e tjerë të hotelit, por kryesisht me banorët e zonës. Albergo Diffuso përfaqëson një qasje unike zhvillimi e cila nuk sjell ndikime negative në mjedis, në përputhje me vizionin e RisiAlbania për zhvillimin e turizmit rural dhe për krijimin e vendeve cilësore të punës.