20 këshilluesit e parë të karrierës nga 4 universite në vend kanë nisur një rrugëtim trajnimi 3-javor, pjesë e programit ndërkombëtar çertifikues – Global Career Development Facilitator.

«Trajnimi është një mundësi e shkëlqyer për të pajisur stafin tonë me aftësi dhe teknika profesionale për t’u ardhur në ndihmë studentëve që të arrijnë qëllimet e tyre për karrierën» – thotë Xhafer Rakipllari Drejtor i Administrimit dhe Shërbimeve Akademike pranë Universitetit « Aleksandër Xhuvani » në Durrës, pjesë e këtij trajnimi ndërkombëtar.

Global Career Development Facilitator është një program trajnues dhe çertifikues i zhvilluar për të ofruar njohje ndërkombëtare të profesionistëve të zhvillimit të karrierës dhe që promovon filozofinë life-long-learning.

Pjesëmarrësit në këtë trajnim të parë janë: Universiteti i Tiranës, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës dhe Universiteti Luarasi.

Trajnimi I mbështetur nga RisiAlbania është një mundësi shumë e mirë për të vendosur ura bashkëpunimi mes pjesëmarrësve dhe për të shkëmbyer përvoja mes tyre.

Ky është vetëm hapi i parë i mbështetjes që RisiAlbania ofron për përmirësimin e shërbimeve të karrierës në universitete dhe gjithashtu hedh themelet për krijimin e një grupi të parë ekspertësh dhe lehtësuesish të shërbimeve të karrierës për tregun shqiptar – një rol kaq i domosdoshëm për punësimin cilësor të të rinjve.

Këshillimi i karrierës po merr një vëmendje gjithmonë e më të veçantë nga institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri. Është rritur ndërgjegjësimi për rëndësinë që këto shërbime kanë për orientimin e studentëve në tregun e punës dhe në zhvillimin e tyre të mëtejshëm akademik dhe profesional.