RisiAlbania mbështeti sektorin e vajit të ullirit duke pasur parasysh situatën e sasive të larta të prodhimit të vajit të ullirit dhe nevojën për të hyrë në tregje me vlerë të lartë.

Mbështetja gjatë kësaj periudhe është ofruar nëpërmjet bashkëpunimit me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, AREB-të, QTTB-s, KASH, FED Invest, Tenius LAB, Shoqata e vajit të ullirit dhe eksportuesit e vajit të ullirit si më poshtë.

Aktivitetet e kryera përfshinë mbështetje me trajnime për rritjen e kapaciteteve dhe ndërgjegjësimit për praktikat e mira në prodhimin dhe ruajtjen e cilësisë së vajit të ullirit. Janë organizuar 22 sesione trajnimi në gjashtë rajonet kryesore të Shqipërisë për një numër total prej 300 fermerësh. Në kuadër të trajnimit 298 mostra janë masa me matës aciditeti dhe 298 mostra janë degustuar nga eskpertët.

Për më tepër, eksportuesit dhe fabrikat e përpunimit u mbështetën me analizë të thellë të vajit të ullirit (Rregullorja Evropiane 2568/91) dhe këshilla të bazuara në rezultatet. Nismat kanë ndikuar ndjeshëm në sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e të gjithë aktorëve në zinxhir, si dhe në vendosjen e një raporti të drejtë dhe të merituar sasi/çmim.

Gjithashtu, FEDInvest ka ndërtuar një dritare të dedikuar informacioni për Sektorin e Vajit të Ullirit. Mijëra fermerë dhe qindra fabrika të përpunimit informohen përmes një forumi të dedikuar, fletëpalosjeve edukative, videove dhe broshurave. Është hera e parë në Shqipëri që u përdor një platformë digjitale për promovimin e tregtimit të vajit të ullirit, e cila siguronte shkëmbimin e informacionit, bashkëpunimin dhe komunikimin ndërmjet palëve të interesuara dhe transparencën.