Shqipëria ka bërë një hap të rëndësishëm drejt turizmit të qëndrueshëm me miratimin e fundit të legjislacionit që njeh strukturat akomoduese Alberghi Diffusi. Kjo njohje jo vetëm që forcon angazhimin e Shqipërisë ndaj inovacionit në turizëm, por gjithashtu hap dyert për përvoja unike dhe autentike për turistët. Së fundmi, lista prestigjioze e National Geographic e hoteleve që duhen vizituar për vitin 2024 liston Alberghi Diffuso Kruja, duke forcuar më tej pozicionin e Shqipërisë si një destinacion global për udhëtarët që kërkojnë përvoja autentike dhe pasuruese.

Çfarë janë Alberghi Diffusi?

Alberghi Diffusi, që fjalë për fjalë do të thotë “hotele të shpërndara”, janë një formë akomodimi që përfshin transformimin e ndërtesave të shpërndara, shpesh historike, brenda një komuniteti në një përvojë mikpritëse kohezive. Dhomat janë të vendosura në shtëpi ose vila të ndryshme në qytete historike ose në fshat, ndërsa recepsioni dhe shërbimet e tjera zakonisht janë të centralizuara në një zonë të përbashkët. Ky model inovativ promovon turizmin e qëndrueshëm duke rigjallëruar strukturat e pashfrytëzuara, duke kontribuar në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe duke nxitur rritjen ekonomike në komunitetet lokale. Ai gjithashtu u ofron turistëve një mënyrë të veçantë dhe autentike për të përjetuar kulturën, historinë, natyrën dhe stilin e jetës së destinacionit.

Si erdhi në Shqipëri Alberghi Diffusi?

Koncepti i Alberghi Diffusi lindi në Itali në fillim të viteve 1980, si një mënyrë për të ringjallur fshatrat dhe qytezat e braktisura ose të shpopulluara. Që atëherë, ai është përhapur në vende të tjera si Gjermania, Zvicra, Spanja dhe Kroacia, me mbi 100 Alberghi Diffusi që veprojnë në mbarë botën. Në Shqipëri, ideja e prezantimit të Alberghi Diffusi u iniciua nga RisiAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim që synon të krijojë më shumë vende pune për të rinjtë.

Në vitin 2020, RisiAlbania ftoi një ekip ekspertësh nga Shoqata Alberghi Diffusi në Itali për të kryer një vlerësim të plotë të disa fshatrave shqiptare që i përkisnin Strategjisë së 100 Fshatrave, një iniciativë e qeverisë për të promovuar turizmin rural. Projekti nisi procesin me fshatin Dhoksat, në qarkun e Gjirokastrës. Megjithatë, përkundër disa takimeve të suksesshme, procesi hasi në ngërçe dhe u ndërpre. Duke ndërtuar mbi këtë përvojë, RisiAlbania përgatiti një fushatë promovimi me biznese lokale, duke e promovuar modelin tek palët potencialisht të interesuara përmes informacionit përmbajtësor. Muaj më vonë, ëndrra rifilloi, me një sipërmarrës të ri nga qyteti historik i Krujës, i interesuar për të përqafuar modelin.

Procesi i krijimit të Albergho Diffuso-s së parë në Ballkan, kulmoi me lançimin e Kruja Albergho DIffuso, në Qershor 2023. RisiAlbania ka ndihmuar në prezantimin e modelit Albergo Diffuso në Shqipëri, duke ofruar asistencë teknike, trajnime dhe rrjetëzim për hotelierët e mundshëm dhe ekzistues, si dhe duke avokuar për njohjen ligjore të këtij modeli mikpritjeje.