102 vajza dhe djem të rinj nga qyteti i Lezhës dhe zonat përreth u certifikuan në një ceremoni të posaçme pasi përfunduan me sukses kurset e kuzhinës, kamarjerit e banakierit, HACCP, akullore dhe pica të ofruara nga Qendra e trajnimeve AA Kurse Formimi Hotelerie me mbështetjen e qeverisë zvicerane përmes projektit RisiAlbania. Thuajse të gjithë të rinjtë kanë marë oferta për punë nga sipërmarrësit që punojnë në sektorin e turizmit në këtë zonë.

Nard Luli, si e njohin të gjithë, pronari i restorantit Poseidon në Tale, Lezhë ishte mes pjesëmarrësve të shumtë në ceremoni dhe me krenari na tregoi se 9 persona nga stafi ekzistues dhe rishtazi të punësuar, kanë përfunduar kurset e barit, kamarierit dhe HACCP.

“Unë drejtorj një restorant peshku dhe në fillimet e mia e kisha shumë të vështirë të gjeja punonjës të kualifikuar. Pas kontaktit me Arbërin nga AA Kurse Formimi Hotelerie, trajnova të gjithë stafin dhe punësova disa prej kursantëve që u diplomuan sot. Tani mund të them se e kam kompletuar të gjithë stafin” – thotë Luli.

Elton, Elidona, Marinela dhe Brunilda janë disa nga të rinjtë e porsadiplomuar të cilët kanë gjetur punë mënjëherë pas përfundimit të kursit. Ata janë shumë entuziastë për punën e tyre të parë në bar dhe restorant në bizneset që operojnë në plazhet e Lezhës. “E dashuroj punën time, – thotë Elidona. Më përqen të komunikoj dhe ndërveproj me njerëzit dhe mendoj se kjo punë më përshtatet më së miri! – shton Elidona teksa pozon me certifikatën e trajnimit.

Etleva Jaku, përgjegjëse e sektorit pranë Drejtorisë Rajonale të Punësimit Lezhë, vlerëson punën e Arbërit, kryesisht me të rinjtë. “Ne kemi një bashkëpunim të gjatë me Arbërin. Shpesh drejtojmë punëkërkuesit e papunë tek qendra e tij dhe bashkëpunojmë për të gjëtur mekanizma financimi për personat, pjesë e grupeve të disavantazhuara, që nuk kanë mundësi ekonomike të përballojnë pagesën e kurseve. Në sajë të punës dhe dedikimit të Arbërit, por edhe ndikimit dhe influencës që ai ka tek bizneset e zonës shumica e përsonave të trajnuar këtu arrijnë të punësohen” – vlerëson Jaku.

“Shpërblimi më i madh për ne është teksa shikon që këta djem dhe vajza të reja jo vetëm trajnohen me aftësitë që kërkon sektori i turizmit në këtë zonë, por edhe punësohen. Duam të shohim që shembujt pozitivë, si ky i Arbërit në Lezhë të mund të replikohet në gjithë vendin, – tha Edlira Muedini, menaxhere e projektit RisiAlbania gjatë ceremonisë së dorëzimit të certifikatave për të rinjtë.

AA Kurse Formimi Hotelerie është një nga ofruesit e kurseve profesionale që Risi mbështet për të diversifikuar ofertën e trajnimit dhe për t’ju përgjigjur kërkesës në rritje për punonjës të kualifikuar në sektorin e turizmit në Lezhë, duke prezantuar kurse të reja dhe duke përmirësuar kurrikulën e kurseve ekzistuese të kuzhinës, kamarierit dhe barit, kurset akullores, picave dhe HACCP, falë edhe bashkëpunimeve me partnerë të tjerë të projektit si HAT, kurse që kërkohen nga sektori i turizmit.

Arbër Avdija, një kuzhinier i apasionuar me profesion, po ndihmon jo vetëm të rinjtë të aftësohen dhe të punësohen, por po ndihmon edhe sektorin privat dhe bisneset që operojnë në sektorin e turizmit në Lezhë të gjejnë punonjës të kualifikuar, të përformojnë më mirë dhe të rriten.