Me zhvillimet e fundit globale si dhe ndryshimeve klimaterike është momenti i duhur që edhe në Shqipëri, aktorët e turizmit të ndërmarrin hapa konkretë drejt njohjes ndërkombëtare të standardeve të turizmit të qëndrueshëm.

Me mbështetjen e RisiAlbania, tre operatorë turistikë shqiptarë, të fokusuar në turizmin e përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm, do të certifikohen nga TravelLife, një organizëm certifikues ndërkombëtar, i akredituar nga GSTC (Global Sustainable Tourism Council).

Pas një thirrjeje të hapur dhe një procesi përzgjedhjeje të organizuar në maj 2022, Risi nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me tre operatorë turistikë, Zbulo, Ecotour Albania dhe Caravan Horse Riding Albania, të cilët do të jenë “pionierët” e ndryshimit drejt turizmit të qëndrueshëm.

Ky do të jetë projekti i parë pilot dhe partnerët tanë zbatues mbeten optimistë për këtë zhvillim, pasi do të ketë një ndikim pozitiv në rritjen e biznesit të tyre, por edhe në mesin e partnerëve të tyre lokalë ruralë dhe komuniteteve të përfshira në paketat e tyre turistike. Risi inkurajon aktorët e tjerë shqiptarë të ndjekin këtë model.

Në këtë drejtim Risi është fokusuar në organizimin e disa aktiviteteve ndërgjegjësuese. Me mbështetjen e RisiAlbania, në qershor 2022 u organizua një vizitë pesëditore e ekspertëve të GSTC me aktorët shqiptarë të turizmit. Gjatë vizitës aktorët shqiptarë patën mundësinë të eksploronin më tej më shumë informacion mbi standardet dhe certifikatat e turizmit të qëndrueshëm.

Takime të tjera u organizuan me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Shoqatën Shqiptare të Operatorëve Turistikë (ATOA), operatorët turistikë të specializuar, Universitetin e Tiranës dhe Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ).