Pesë produkte të reja turistike fituan çmimet “Risi Turistike” 2016 për rajonin e Gjirokastrës, në konkursin e përvitshëm me të njëjtin emër, organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Turizmit, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes, Agjencia Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve, projekti RisiAlbania dhe Industria Shqiptare e Turizmit – me qëllim promovimin e produkteve dhe shërbime të reja në fushën e turizmit.

Në garën e këtij viti për çmimet “Risi Turistike” ishin dhjetë paketa turistike inovative e tërheqëse, pesë prej së cilave u shpallën fituese gjatë ceremonisë së organizuar në Hotel Çajupi në Gjirokaster, në prani të bizneseve turistike të zonës, përfaqësuesve të autoriteteve vendore, shoqërise civile, dhe sipërmarjes private të rajonit jug-lindor. Paketat e reja synojnë të përmirësojnë shërbimet dhe produktet ekzistuese, duke prezantuar risi në ofertat turistike në qytetin e Gjirokastrës. Çmimi i parë dhe i dytë u ndoqën nga çmimet për krijimtari, inovacion, dhe biznese të reja. Produktet e reja turistike përfshijnë marketingun e destinacionit online dhe promovimin e Gjirokastrës në mediat sociale, për t’ju mundësuar turistëve dhe vizitorëve informacion në kohë reale e të përditesuar mbi qytetin dhe aktivitetet rreth tij. Një tjetër projekt-ide sjell konceptin e ‘tureve përjetuese’ për qytetin dhe zonat përreth, përmes vizitave dhe veprimtarive tematike, ku turisti është pjesë dhe përjeton eksperienca të ndryshme të kulturës, kulinarisë, artizanatit, etj.. Këto ide fituese do të zhvillohen më tej nga vetë kompanitë si edhe me mbështetjen e RisiAlbania dhe Agjensisë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve, derisa të ofrohen në tregun turistik.

Ambasadori Zviceran Z. Christoph Graf dhe Kryetarja e Bashkisë Gjirokastër Znj. Zamira Rami përshëndetën të pranishmit dhe dorëzuan çmimet tek fituesit. “Turizmi është një forcë premtuese për rritjen ekonomike në të gjithë Shqipërinë dhe gjithashtu në Gjirokastër; shpresojmë që këto produkte të reja turistike të nxisin turizmin dhe ta bëjnë qytetin akoma edhe më tërheqës, duke rezultuar në më shumë të ardhura për ju, bizneset dhe qytetarët e Gjirokastrës” – theksoi Ambasadori Graf, duke shtuar se këto çmime synojnë të inkurajojnë punën e operatorëve turistikë dhe bizneseve të tjera të lidhura me turizmin.

Në emër të Bashkisë Gjirokastër, kryetarja Zamira Rami u bëri thirrje donatorëve dhe bizneseve që të mbështesin idetë e reja që synojnë rijetësimin e turizmit në Gjirokastër dhe promovimin e punësimit për të rinj. “Jemi në një vit të rëndësishëm për historinë e këtij qyteti të deklaruar si Viti Kulturor i Kadaresë, në nderim të shkrimtarit të madh Gjirokastrit, në 80 vjetorin e lindjes së tij. Dëshirojmë që Gjirokastra të shndërrohet në atraksionin turistik të Jugut, duke uruar që produktet e reja të paraqitura sot këtu të krijojnë itinerare të reja dhe të shtojnë vlerë në përvojën e pasur dhe autentike që rajoni ynë ka trashëguar“ – tha kryebashkiakja Rami.

RisiAlbania ka mbështetur zhvillimin e konkursit “Risi Turistike” edhe në Shkodër e Berat, gjatë vitit 2015, duke inkurajuar nismat inovative nga agjensitë dhe bizneset turistike lokale në këto dy qytete. Synimi final është tërheqja e më shumë turistëve, zgjatja e kohë qëndrimit të tyre, si edhe rritja e të ardhurave për bizneset dhe komunitetet lokale, me qëllim shtimin e punësimit sidomos mes të rinjve.

DSC_4726