Shoqata Kombëtare e Guidave Turistike Shqiptare (NATGA), në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, dhe me mbeshtetjen e projektit RisiAlbania, organizuan më 11 Dhjetor 2015 në Hotel Tirana International Konferencën e II-të Kombëtare të Guidave Turistike Shqiptare, me temë: “Standardizimi i Guidave Turistike për një Zhvillim të Qëndrueshëm të Turizmit në Shqipëri”.

Konferenca mblodhi bashkë aktorë të rëndesishëm të industrisë së turizmit në vend, dhe pati pjesëmarrje masive nga rradhët e përfaqësuesve të operatorëve turistikë dhe anetarë të Shoqatës Kombëtare të Guidave Turistike në Shqipëri. E ftuar nderi në këtë konferencë, Znj. Felicitas Wressnig, Presidente e Federatës Botërore të Shoqatave të Guidave Turistike, në fjalën e saj theksoi nevojën dhe rëndësine që ka për guidat turistike kualifikimi i vazhdueshëm dhe përditësimi i njohurive profesionale.

Konferencën e përshendeti edhe Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, Z. Christoph Graf, i cili tha se që prej ardhjes në Shqipëri ka vënë re potencialin e veçantë që ka vendi ynë për turizëm. “Një nga sfidat është se si të rritet koheqëndrimi i turistëve dhe të zgjerohet gama e vizitave pertej pushimeve tradicionale të verës në plazh. Shqipëria duhet te gjejë avantazhet e saj krahasuese dhe identitetin e vet për produktet turistike dhe shërbimet që ofron”, theksoi ambasadori Graf.

“Kemi nevojë për profesionalizëm sa i përket informacionit që jepet, mënyrën se si ai përçohet, etikës në trajtimin e këtij informacioni por dhe etikës dhe kujdesit në mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit e trashëgimisë kulturore apo historike, dhe kemi nevojë për një standardizim dhe rritje cilësie në dhënien e këtij informacioni” tha Ervin Mete, zv.minister i Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, duke shtuar se udhërrëfyesit janë pika të rëndësishme kontakti, ndonjëherë edhe të vetmet, për turistët që vizitojnë Shqipërinë.

Konferenca evidentoi rëndesinë që ka përputhja e kualifikimeve dhe njohurive të guidave turistike me kërkesat e turistëve; gjë që sigurohet vetëm përmes trajnimit të duhur, kualifikimit dhe çertifikimit të guidave turistike. Standartet bashkëkohore për guidat turistike, u vlerësuan si të domosdoshme në rritjen e numrit të turistëve, ditëve të qëndrimit të tyre, zhvillimit të turizmit në zonat rurale, si edhe ndikimit në më shumë të ardhura në këtë sektor, më shumë investime dhe vende të reja pune.

“Aktet nënligjore dhe rregulloret përkatëse për guidat turistike -në kuadër të ligjit të ri për turizmin në vend – që aktualisht janë në proces përgatitjeje e që do të miratohen brenda 3 mujorit të parë të 2016 do të përcaktojnë detajet e duhura të sistemit të kualifikimit dhe çertifikimit të guidave turistike” –tha në fjalën e saj Sonia Popa, Drejtore e Përgjithshme e Turizmit në MZHETTS, e cila ju bëri thirrje pjesëmarrësve për të dhënë kontributin e tyre në këtë proces.

Ndërsa Drejtorja e projektit RisiAlbania Edlira Muedini, informoi të pranishmit për kontributin që RisiAlbania jep në fushën e Turizmit duke thekesuar mbështetjen që projekti jep në nxitjen e inovacionit për produkte të reja turistike. Ajo shtoi se aktualisht nëpërmjet konkursit “Risi turistike” 2015 janë prezantuar tashmë dhe janë drejt finalizimit produkte të reja dhe paketa të tilla si “birdwatching”, ture me biçikleta në Shkodër dhe brandimi i Beratit. “Konkursi “Risi Turistike” 2016 që pritet të finalizohet në Janar 2016, do të sjellë të tjera risi në produkte turistike për rajonin e Gjirokastrës” – theksoi Znj. Muedini.

Konferenca u mbyll me diskutimet e pjesëmarrësve rreth parashikimeve të ligjit për turizmin dhe akteve nënligjore mbi standartet e guidave turistike në Shqipëri.

DSC_9013