Shqipëria ishte një destinacion kryesor për prurjet turistike në 2023 me 10 milionë vizitorë, një rritje me më shumë se 56% rritje krahasuar me 2019. Tani sektori duhet të fokusohet te qëndrueshmëria. Turizmi i Qëndrueshëm është e ardhmja dhe kjo kërkon ekspertë vendas, standardizim dhe ndërgjegjësim. RisiAlbania dhe aktorë të fushës diskutuan këto pikaë në një Konferencë të posaçme për Turizmin e Qëndrueshëm, në Panairin vjetor “Tourism & Travel Show Albania”, më 31 janar 2024.

Ky aktivitet hodhi dritë mbi rolin kryesor të turizmit të qëndrueshëm, veçanërisht në kontekstin shqiptar, duke theksuar potencialin e tij për rritjen ekonomike, punësimin e të rinjve, ruajtjen e kulturës dhe të mjedisit.

Në zemër të turizmit të qëndrueshëm qëndron konsiderata ekonomike, sociale dhe mjedisore. Shqipëria, duke përqafuar këtë koncept, kërkon t’u ofrojë turistëve jo vetëm pushime të paharrueshme, por edhe përvoja autentike të rrënjosur në trashëgiminë e saj të pasur historike dhe kulturore. Duke arritur një ekuilibër midis ruajtjes së mjedisit, përfitimeve ekonomike dhe ndikimeve sociale, turizmi i qëndrueshëm bëhet një katalizator për zhvillimin holistik.

Turizmi i qëndrueshëm shërben si një shtyllë kyçe për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, duke pasur parasysh ndikimin e tij shumëdimensional. Shqipëria, e bekuar me bukuri natyrore të pacenuar dhe një trashëgimi kulturore të larmishme, është e gatshme për zhvillim të mëtejshëm të turizmit të qëndrueshëm. Nga lagunat, liqenet dhe lumenjtë në vendet arkeologjike dhe qytetet historike, vendi ofron një seri atraksionesh që përputhen me parimet e turizmit të qëndrueshëm.

Ky sektor jo vetëm që ofron mundësi ekonomike dhe punësimi, por gjithashtu u mundëson komuniteteve rurale të kalojnë në sektorin e shërbimeve. Konferenca theksoi rëndësinë e eventeve të tilla në lehtësimin e shkëmbimeve biznes-biznes (B2B) dhe biznes-me-konsumator (B2C), nxitjen e vlerave të përbashkëta dhe përshtatjen e ofertave për të përmbushur kërkesën.

Pjesa e fundit e aktivitetit iu kushtua shpërndarjes së certifikatave për 39 pjesëmarrësit e serisë së parë të uebinarit në gjuhën shqipe mbi Turizmin e Qëndrueshëm – një nismë që u zhvillua gjatë gjithë nëntorit dhe dhjetorit 2023, në bashkëpunim me Universitetin e Luzernit. Ndërsa Shqipëria nis këtë rrugëtim me mbështetjen e Zvicrës, ajo sinjalizon një angazhim bashkëpunues për një të ardhme më të gjelbër dhe më të begatë përmes turizmit të qëndrueshëm.