Shqipëria bën një hap më tej drejt forcimit të infrastrukturës së saj të sigurisë së informacionit me rritjen e ndërgjegjësimit dhe promovimin e certifikimit ISO 27701, duke bërë bashkëtë gjithë aktorët përkatës. I organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, i mbështetur nga RisiAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe i zbatuar nga Helvetas Albania, takimi i sotëm hodhi një hap të rëndësishëm në fushën e sigurisë së informacionit në Shqipëri.

Aplikimi i skemave të reja, duke përfshirë ISO/IEC 27701, ISO 27017 dhe ISO 27018, nënvizon angazhimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj standardeve dhe certifikimeve globale. ISO 27701 është një standard i privatësisë së të dhënave që bazohet në ISO 27001, standardi ndërkombëtar më i përdorur për menaxhimin e sigurisë së informacionit. Standardi udhëzon organizatat mbi politikat dhe procedurat për të respektuar GDPR dhe ligjet e tjera të privatësisë.

Moderuar nga Aurora Sulçe, aktivitetin e përshëndeti Z. Philipp Arnold, Zëvendës Shef i Misionit të Ambasadës Zvicerane në Shqipëri. Z. Arnold theksoi rolin e projekteve zvicerane si RisiAlbania në mbështetjen e zhvillimit të ekonomisë shqiptare. Në të njëjtin prizëm, z. Endrit Yzeiraj, Zëvendës Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit vlerësoi punën e Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit, si dhe theksoi rëndësinë e certifikimeve ISO në kuadrin e procesit të negociatave me BE-në. Znj. Pranvera Fagu, Drejtore e DAP-së prezantoi punën e Agjencisë në menaxhimin e proceseve të tilla, ndërsa z. Stephan Joss, drejtor i projektit RisiAlbania shpjegoi se si përqafimi i standardeve të tilla krijon më shumë mundësi punësimi për të rinjtë shqiptarë. Certifikimi dhe Standardet, përveçse një kërkesë e BE-së, krijon mundësi për rritje, shërbime outsource apo eksporte – procese që do të krijojnë vende pune për të rinjtë shqiptarë.

Në pjesën e dytë të panelit u zhvilluan diskutime me ekspertë, të cilët përfaqësonin aktorë të rëndësishëm në tregun shqiptar. Panelistët, përfshirë Blerina Qazimin, Besa Stringën, Sokol Avxhiun, Igli Tafa, Alfons Muça, Nikolin Metaj dhe Raffaelle Regni, ndanë njohuritë e tyre për temat kritike si nevoja për certifikime të akredituara për standardet 27701, 27017 dhe 2701.

Gjatë diskutimit u vunë në dukje edhe vlerat dhe përfitimet për kompanitë shqiptare në tregjet e brendshme dhe ndërkombëtare, si dhe interesi i aktorëve nga tregje të mëdha, qofshin investitorë apo sipërmarrës, lidhur me atë se çfarë mund të japë dhe duhet të garantojë Shqipëria në fushën e sigurisë së informacionit. Së fundmi, diskutimi u drejtua drejt së ardhmes si dhe trendeve Evropiane.

Ky aktivitet erdhi si një përpjekje e përbashkët për të nxitur një mjedis më të sigurt dhe më të favorshëm për të gjithë palët e interesuara në ekosistem. Synimi është që ky hap domethënës të sjellë një ndërgjegjësim dhe përqafim të proceseve certifikuese, duke nxitur rritjen e sigurisë së informacionit dhe konkurrencës në vendin tonë – e gjithë kjo për të patur më vendeve më të mira pune për të rinjtë dhe të rinjtë në Shqipëri.