Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj së bashku me Ambasadoren zvicerane Ruth Huber nënshkruan marrëveshjen për zbatimin e fazës së tretë të projektit RisiAlbania – për një treg pune funksional për rininë. Ministrja Ibrahimaj theksoi se në fokus të politikave janë projektet dhe programet që synojnë të sjellin rritjen e punësimit.

Marrëveshja formalizon dhe lehtëson bashkëpunimin midis disa institucioneve dhe autoriteteve të Shqipërisë ku rolin qendror e ka Ministria e Financave dhe Ekonomisë, për të përmirësuar këshillimin dhe mirëinformimin e të rinjve mbi karrierën, rritjen e aftësive që kërkon tregu, si dhe mbështetje që bizneset të mund të jenë më konkurrues dhe të qëndrueshëm. Përmes një granti prej 6.9 milion Euro projekti do të përshkallëzojë mënyra të reja për të përmirësuar mundësitë e punësimit dhe për të aftësuar bizneset që të ofrojnë vende më të mira pune.

Ministrja deklaroi se politikat buxhetore të cilat janë duke u ndërmarrë kanë si synim nxitjen e sektorëve si turizmi dhe bujqësia përmes zhvillimit të zinxhirit të vlerës në bimët medicinale, frutat dhe perimet. Kjo do të japë mundësi bizneseve të aksesojnë tregje me vlerë të lartë, të rrisin të ardhurat në vend dhe të krijojnë më shumë mundësi punësimi për të rinjtë.

Ambasadorja zvicerane Ruth Huber u shpreh se është shumë e rëndësishme që të rinjtë dhe të rejat të pajisen me këshillim të duhur për karrierën dhe me aftësi të kërkuara në treg dhe se ky është një nga qëllimet e marrëveshjes së projektit që u nënshkrua.